Friday 10 January 2014

Mbrothësia e përbashkët, rrugëdalja e guximshme e kombit shqiptar

Objektivat kryesorë janë:


  • Çështjet e identitetit;

  • Unifikimi i standardeve kombëtare,

  • Demokracia,

  • Ekonomia,

  • Arsimi,

  • Barazia gjinore,

  • Shekularizmi,

  • Të drejtat njerëzore,

  • Gjyqësori,

  • Sporti,

  • Ndërveprimi,

  • Rinia

Qëllimi parësor i këtij projekti duhet të jetë shndërrimi i handikapit në përparësi


Pa standardizim nuk mund të mbrohet asnjë vlerë, veçmas ato që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar


Nëse nuk do të gjendet një rrugë e lejueshme, qytetëruese që do t’i bashkonte të gjitha kapacitetet e shqiptarëve në kuadër të një intence, eskatoni të përbashkët kombëtar, atëherë këto kapacitete do të shfrytëzoheshin nga të tjerët.


Popujt e qytetëruar siç janë francezët apo britanikët në vijë të afirmimit të interesave kombëtare, madje kanë formuar organizma mbinacionale vullnetare siç është projekti i Frankofonisë apo Commonwealthi


Ja skica e dijetarit të madh, Arbën Xhaferri


arben xhaferi 1Dijetari dhe publicisti, Arbën Xhaferri, në vitin 2007 publikoi një platformë të posaçme mbi mënyrën e bashkëpunimit mes Kosovës, Shqipërisë dhe trevave shqiptare. Ai e ka titulluar shkrimin “Skicë për mbrothësinë e përbashkët”. Mund të shërbejë si “dekalog” për mënyrën e rrugët e bashkëpunimit mes dy shteteve të njëjtës kombësi. GazetaShqip, nisur dhe nga zhvillimi i mbledhjes së të shtunës mes dy qeverive të Tiranës dhe Prishtinës, po boton të plotë idenë e dijetarit të madh të kombit shqiptar, Arbën Xhaferri.


Platforma


Tashmë është bërë e pamundur që të zhvillohet një debat racional për nacionalizmin. Pas zhvillimeve tragjike gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, pas konflikteve të ndryshme etnike, kulturore, religjioze etj., anekënd botës është anatemuar nacionalizmi si faktor luftënxitës, atavist dhe jo human. Krahas këtij percepcioni negativ të fenomenit të nacionalizmit nuk mungojnë deklaratat mbi interesin nacional si vlerë parësore. Bie fjala rusët apo kinezët thonë se në Kosovë mbrohet interesi i tyre nacional, prandaj kanë qëndrim refuzues për pavarësinë e saj. Nëse kosovarët do të thoshin se në Kosovë mbrohen interesat e shqiptarëve, atëherë ky përcaktim, pa dyshim do të  anatemohej si nacionalizëm, si një ideologji retrograde, ataviste që duhet të çrrënjoset. Shpeshherë si kontrapunkt i nacionalizmit të popujve të vegjël, që bëjnë rezistencë kundër trajtimit të tyre kolonial, ose asimilimit jepet shembulli europian, ai i tolerancës, mendësisë inkluzive, kozmopolite. Gjatë përdorimit të këtyre argumenteve, megjithatë harrohet një fakt i pamohueshëm: vendlindja e nacionalizmit është Europa. Në kuadër të qytetërimit europian konfliktet etnike janë tejkaluar falë zgjidhjes përfundimtare të çështjeve etnike, përkatësisht në sajë të arritjes së kongruencës ndërmjet përmbajtjes etnike dhe kufijve politik të shteteve. Aty ku mungon kongruenca, përkundër mirëqenies ekonomike, ende shfaqen fërkime mbi baza etnike. Sociologu amerikan, Benedikt Anderson, me të drejtë konstaton se nacionalizmi u shfaq në skenën historike europiane në shekullin XVI kur popujt e Europës humbën besimin në librat e shenjtë, përkatësisht në të “vërtetat” e shenjta që dolën se ishin lajthitje. Rrënimi i besimit në religjion shtoi kërkesën që të gjendet një ideologji kompensuese. Së këndejmi kompensimi u gjet te nacionalizmi, te zëvendësimi i hyjnores me njerëzoren. Kështu edhe në sferën e politikës depërtoi fryma e Renesansës dhe e Humanizmit.


Çdo njeri ashtu si edhe çdo shoqëri ka nevojë inherente për siguri, për përkatësi ndaj një grupi, për adhurim, për krenari, si dhe për manifestime të fisnikërisë, të devotshmërisë ndaj një ideali. Zëvendësimi i hyjnores me njerëzoren ishte produkt europian që ndikoi në formimin e shteteve kombëtare. Ky proces kulminoi në Francë ku nacionalizmi kishte rol emancipues, përkatësisht çlirues: duke krijuar shtetin komb, shtetin nacional, njëkohësisht u arrit barazia në mes të qytetarëve, pa marrë parasysh dallimet e ndryshme ndërmjet tyre. Qytetari më nuk ishte pronë e monarkëve, por individ i cili ishte i barabartë me të gjithë të tjerët. Shpërbërja e Jugosllavisë hapi një kapitull të ri në zgjidhjen e çështjeve etnike. Në Jugosllavi, sipas modelit rus, funksiononte ideja e kombit që ka të drejtë të udhëheqë me shoqërinë, prandaj bëheshin kategorizime të ndryshme, komb, kombësi, pakicë. Ky gradacion ishte shpeshherë në kontradiktë me realitetin. Kombësitë apo pakicat shpeshherë ishin më të mëdha sesa kombet. Bie fjala shqiptarët në ish-Jugosllavi, për kah numri, përqindja ishin në vendin e tretë, pas serbëve dhe kroatëve, por ata trajtoheshin si kombësi apo pakicë, ndërkaq malaziasit, maqedonasit, numerikisht shumë më të vegjël se shqiptarët trajtoheshin si kombe. Ky kategorizim natyrisht nuk buronte nga realiteti, por nga teoritë hegjemoniste, nacionaliste apo raciale. Kjo padrejtësi krijonte hapësirë për fërkime ndëretnike që përfundimisht ndikuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Këto fërkime janë imanente për shoqëritë heterogjene, multietnike. Ashtu si u shpërbë Perandoria Osmane, Austro–Hungareze, apo Rusia cariste u shpërbë edhe Jugosllavia, Çekosllovakia. Sociologu zviceran, Urs Altermatt, në librin e tij “Etnonacionalizmi europian” me të drejtë konstaton se nacionalizmi në Europë pat dy lloj funksionesh kontradiktore: – ndikoi në shpërbërjen e shteteve, perandorive, formacioneve multietnike shoqërore, siç ishte Austro–Hungaria dhe ndikoi në bashkimin e shteteve të vogla feudale në një shtet kombëtar të popujve me origjinë të njëjtë siç ishin gjermanët apo italianët. Sot, askush nuk mohon rolin pozitiv të nacionalizmit në krijimin e shteteve moderne. Populli shqiptar, pas shthurjes së Perandorisë Osmane u fragmentarizua, u nda në disa shtete: në Shqipëri, në Greqi, në Jugosllavi dhe brenda saj në shumë republika. Aktualisht, pas pavarësimit të Kosovës, pas miratimit të Planit të Ahtisaarit, shqiptarët janë ndarë në disa shtete të pavarura: në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës. Me këtë rast, me keqardhje mund të themi se në Greqi, pas një politike shkombëtarizuese antishqiptare është ngulfatur kauza shqiptare. Fragmentarizimi i shqiptarëve, detyrimi që ata të jetojnë jashtë shtetit amë krijon një varg problemesh dhe statusesh të shqiptarëve brenda këtyre shteteve. Në Shqipëri bie fjala ata kanë liri dhe të drejta të palimituara nga aspekti kombëtar, në Kosovë shqiptarët kanë liri, por jo edhe mëvetësi në qeverisje, ngaqë sovraniteti do ta ndajnë një kohë të gjatë me faktorët mbikëqyrës, në Maqedoni edhe një kohë të gjatë do të zhvillohet procesi konfliktual i përcaktimit të statusit të shqiptarëve, ndërkaq në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi shqiptarët definitivisht do ta kenë statusin e pakicës kombëtare. Këtë situatë vetë shqiptarët nuk mund ta ndryshojnë, prandaj paraqitet nevoja që të gjejnë rrugë të tjera për t’i tejkaluar pengesat që objektivisht e ngulfatin zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimor dhe sigurinë e tyre. Nëse merret parasysh roli vazhdimisht kompensues i nacionalizmit, pas humbjes së besimit në të “vërtetat” fetare, në hierarkinë shoqërore, të dhënë nga Zoti dhe në barasvlerësimin e kohës kozmike me atë historike, ashtu si pohon Andersoni, atëherë duhet shfrytëzuar forcën ngjeshëse, kohezive të nacionalizmit për ta ngritur mirëqenien e qytetarëve, pjesëtarëve të një kombi, prodhimin e vlerave kulturore dhe mbi të gjitha instalimin e standardeve kombëtare, gjithnjë në vijë të tejkalimit të pasojave rrënuese, zvetënuese të pasojave nga fragmentarizimi i indit kombëtar.


Kombet e formuara, ato që kanë krijuar shtetet e tyre kombëtare kanë arritur që të instalojnë si ide prijatare, intencën kombëtare apo eskatonin kombëtar që i fokuson të gjitha kapacitetet, burimet njerëzore dhe natyrore, në një drejtim, në atë të zhvillimit, të mbrothësisë kombëtare. Kjo intencë është përcaktim i çdo populli të qytetëruar, madje për arritje të interesave kombëtare janë zhvilluar dhe luftëra për zgjerim të territorit, gjithnjë në vijë të interesit ekonomik, të mirëqenies, së sigurisë së përbashkët kombëtare. Nocioni i interesit gjeostrategjik është eufemizëm që përdoret për ta zëvendësuar nocionin e profanizuar të nacionalizmit. Nëse nuk do të gjendet një rrugë e lejueshme, qytetëruese që do t’i bashkonte të gjitha kapacitetet e shqiptarëve në kuadër të një intence, eskatoni të përbashkët kombëtar, atëherë këto kapacitete do të shfrytëzoheshin nga të tjerët. Popujt e qytetëruar siç janë francezët apo britanikët në vijë të afirmimit të interesave kombëtare, madje kanë formuar organizma mbinacionale vullnetare siç është projekti i Frankofonisë apo Commonwealthit. Projekti i parë krijon relacione kohezive me popuj të ndryshëm mbi bazë të zgjerimit të përdorimit të gjuhës frënge, ndërkaq ky i dyti mbi baza të mirëqenies së përbashkët. Edhe shqiptarët të fragmentarizuar në disa shtete duhet ta përkufizojnë intencën, eskatonin kombëtar në vijë të shfrytëzimit racional të të gjitha kapaciteteve dhe burimeve. Nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë do të kemi zhvillime shoqërore që do të shkërmoqin identitetin unik kombëtar dhe ndasi mbi interesa të kota. Duke marrë si shembull Commonwealth–in britanik, imponohet një ide e ngjashme, ajo, bie fjala e Mbrothësisë së Përbashkët Kombëtare. Qëllimi parësor i këtij projekti duhet të jetë shndërrimi i handikapit në përparësi, përkatësisht i fragmentarizmit molisës në begati, ose në vend që të shfrytëzohen kapacitetet e shqiptarëve nga të tjerë, të gjenden modalitete qytetëruese të organizimit shoqëror, gjithnjë në vijë të intencës kombëtare, që do të jenë në interes, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të popujve me të cilët ata bashkëjetojnë. Popujt më të qytetëruar të botës tashmë kanë përkufizuar dhe instaluar standardet kombëtare në çdo fushë, duke filluar prej çështjes së abortit e deri tek ajo e ushqimeve gjenetikisht të modifikuara, prej çështjes së demokracisë e deri te manifestimet sportive. Shoqëritë shqiptare janë të pastandardizuara, sidomos nga aspekti i vlerave kombëtare. Kjo mungesë ndikon që standardet dhe vlerat e popujve të tjerë të depërtojnë lehtas, madje edhe të bëhen barrierë për pranimin e standardeve moderne perëndimore. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në marrëveshje me faktorët relevantë botërorë, mbyllet një proces i dhembshëm historik dhe hapet një dilemë e nivelit tjetër: çka dhe si më tutje? Nga kjo periudhë shqiptarët dolën me imazh të rrënuar, me ekonomi jo kompatibile me sistemet moderne shoqërore, me dilema qytetëruese, me identitet ende të pastabilizuar kombëtar, me dallime të rrezikshme kulturore, në varësi nga sistemet shoqërore ku janë formuar botëkuptimet e tyre, me sistemin e vjetruar arsimor, me koncepte dhe standarde labiale demokratike, me thellim të korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar që nënkupton suspendimin e parimeve të shtetit ligjor, me shkapërderdhjen e bashkëkombësve në shumë shtete të botës si pasojë e krizës ekonomike, etj. Pa krijuar standarde unike kombëtare, pa bashkërenditje të kapaciteteve, të sinergjisë kombëtare nuk mund të tejkalohen vetvetiu këto probleme. Pa standardizim nuk mund të mbrohet asnjë vlerë, veçmas ato që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar. Në vazhdim parashtrohet një skicë e mundshme për krijimin e një institucioni, organizate e Mbrothësisë së Përbashkët, punuar sipas projekteve të ngjashme në botë, veçmas Commonwealthit britanik.


Mbrothësia e Përbashkët


I  Përkufizimi


Mbrothësia e Përbashkët është organizatë jopolitike vullnetare. Në këtë projekt do të përfshihen shtetet, përkatësisht bashkësitë shqiptare që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.


II   Qëllimet e themelimit


“Mbrothësia e Përbashkët” është organizatë ndërkombëtare në të cilën do të marrin pjesë bashkësitë shqiptare, mundësisht edhe shtetet ku ata jetojnë pa marrë parasysh nivelin e zhvillimit shoqëror, politik dhe ekonomik. Baza mbi të cilën do të ndërlidhen interesat e përbashkëta ka të bëjë me afirmimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, të drejtat individuale, barazinë, tregtinë e lirë, multilateralizmin dhe paqen në botë.


III  Udhëheqja


Udhëheqja e Mbrothësisë duhet të jetë e emëruar(dominuar) me marrëveshje konsensuale ndërmjet anëtarëve të organizatës. Nominimi, pavarësia nga elektorati krijon kushte për marrje të vendimeve të guximshme dhe eliminon vetinë, shpeshherë bllokuese të vardisjes së politikanëve ndaj elektoratit dhe opinionit në përgjithësi. Mbrothësia udhëhiqet nga sekretariati i përgjithshëm që ka ingerenca edhe ekzekutive. Sipas shembullit të Commonwealthit, ku udhëheqja simbolike i takon mbretëreshës, si kod bashkues, mund të ofrohet një rol i këtillë edhe oborrit mbretëror shqiptar.


IV  Anëtarësimi 


Kriteret për anëtarësim në Mbrothësi janë të bazuara në një sërë dokumentesh të veçanta.


V  Objektivat dhe aktivitetet


“Mbrothësia…” karakterizohet si organizatë ndërkombëtare që synon t’i zgjidhë problemet me të cilat tash e tutje do të ballafaqohen bashkësitë shqiptare të shkapërderdhura në shumë shtete.


Objektivat kryesorë janë: Çështjet e identitetit;  Unifikimi i standardeve kombëtare: demokracia, ekonomia, arsimi, barazia gjinore,


Shekularizmi, të drejtat njerëzore, gjyqësori, sporti, ndërveprimi,


rinia.


VI  Struktura udhëheqëse


Sekretariati i “Mbrothësisë” vendoset në Tiranë, ndërkaq degët në kryeqendrat ku jetojnë shqiptarët. Sekretariati organizon konferenca, takime të ministrave, takime konsultative teknike, e ndihmon zhvillimin e politikave dhe jep këshilla politike, profesionale, harton projekte për tejkalim të vështirësive në përputhje me objektivat e paracaktuara. Sekretariati udhëhiqet nga sekretari i përgjithshëm i “Mbrothësisë”. Ai mund të ketë vetëm dy mandate me nga 4 v.  Sekretari i Përgjithshëm dhe dy zëvendësit e tij i udhëheqin seksionet e sekretariatit. Subjektet anëtare të “Mbrothësisë” krijojnë edhe shumë lidhje sekondare në lëmin e sportit, të arsimit, të bamirësisë etj. Asociacioni i universiteteve të “Mbrothësisë” shërben si mjet për lidhjet (komunikim) akademik(e).  Po ashtu, ekzistojnë edhe shoqata të tjera jozyrtare, të cilat ndihmojnë individë që punojnë në fushën e gjyqësorit dhe në institucionet e tjera qeveritare, siç janë, shoqata e juristëve dhe shoqata e parlamentaristëve të “Mbrothësisë”. Në të parë ideja duket sa e guximshme po aq edhe e parealizueshme, por rrugëdalje tjetër nuk ka nëse dëshirojmë t’i vëmë në kontroll proceset që i degjenerojnë kapacitetet tona kombëtare dhe shoqërore në përgjithësi. Nëse ky propozim të paktën do të nxisë përsiatjen për nevojën e gjetjes së një shtegu të ri që do të na shpijë në nivel më të lartë të organizmit shoqëror, atëherë guximi do të jetë i arsyeshëm.



Mbrothësia e përbashkët, rrugëdalja e guximshme e kombit shqiptar

Mediet – Presidenti francez ka aferë dashurie



Magazina franceze “Closer” pretendon se ka prova inkriminuese për një aferë dashurie të presidentit të Francës François Hollande me aktorën Julie Gayet. Në edicionin e sotëm online, kjo magazinë shkruan se do të publikojë së shpejti fotografitë për të mbështetur këtë zbulim të saj. Tabloidi ka njoftuar se do të publikojë shtate faqe me fotografi të aferës së supozuar dashurie të presidentit 59 vjeçar me Gayet.



Një numër i portaleve franceze kanë shkruar ditëve të fundit se Hollande del shpesh natën nëpër Paris me motoçikletën e tij për t’u takuar me dashnmoren 41 vjeçe. “Në ditën e parë të vitit të ri, një burrështetas me helmet, iu bashkua aktores në banesën e saj, ku e ka bërë shprehi që ta kalojë natën”, ka shkruar Closer në portalin e saj, ndërsa bashkëngjitur ka një fotografi të deformuar, që thuhet se është Hollande.


Presidenca franceze nuk ka komentuar ende pretendimet e kësaj magazine. Një e përjavshme serioze pariziene, L’Express ka raportuar pak ditë më parë se sigurimi i pallatit presidencial është shumë e më shumë i brengosur për “ikjet” e shpeshta të Hollande. François Hollande jeton me partneren e tij Valerie Trierveiler, një gazetare franceze me renome, për të cilën është ndarë nga gruaja e tij Segolene Royal, një politikane majtiste, me të cilën ka katër fëmijë.




Mediet – Presidenti francez ka aferë dashurie

Shqiptarët po i mashtrojnë për xhihadin në Siri



Për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë nuk ka asnjë dyshim se nëse ka shqiptarë që kanë shkuar në Siri, ata janë mashtruar dhe gënjyer.


Gazmend Aga, nënkryetar i Komunitetit Mysliman në vendin tonë, në një intervistë për “Shqiptarja.com” thotëë se nisma të tilla bien ndesh jo vetëm me ligjet e shtetit, por edhe parimet bazë të fesë.


Ai u bën thirrje besimtarëve myslimanë që nëse duan të bëjnë një gjë për këtë vend, atëherë mund ta bëjnë me anë të lutjes, dhe jo të braktisin atdheun dhe familjen e tyre, detyrimet që kanë ndaj fëmijëve, prindërve dhe shoqërisë.


“Madje këto janë realisht përgjegjësitë obligative për një besimtar, krahas adhurimit ndaj Zotit”, – përfundon apeli i kreut të KMSH-së, për të gjithë myslimanët.


A ka Komuniteti Mysliman dijeni për këtë fakt?


Kryesisht kemi dëgjuar nëpërmjet medias dhe çfarë flitet informalisht. Nuk kemi ndonjë ankesë zyrtare prej besimtarëve apo funksionarëve të KMSH që një gjë e tillë të bisedohet në xhamitë të cilat janë nën juridiksionin e KMSH. Por gjithsesi, që në momentin që filluan të qarkullonin probleme të tilla në publik, ne i kemi porositur punonjësit tanë që tu tërheqin vëmendjen besimtarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj çdo thirrjeje e nxitjeje të tillë shumë të dëmshme dhe tragjike për shoqërinë tonë.


Nga influencohen besimtarët tanë, në lidhje me fenomenin e fundit që marrin gratë dhe fëmijet me vete?


Nëse ka qytetarë që kanë shkuar nga Shqipëria, mendoj që janë të gënjyer e të mashtruar. Ndoshta ka njerëz që shfrytëzojne gjendjen ekonomike, morale apo mendore të njerëzve të ndryshëm, sepse është realisht shqetësuese që një shqiptar të përzihet në një konflikt me të cilin nuk e lidh asgjë. Nëse ka prej atyre që përpiqen ti veshin një justifikim fetar nismave të tilla, abuzojnë shumë rëndë me fenë, e cila ka ardhur për paqen, sigurinë e mirëqenien. Është totalisht e papranueshme që të bëhen thirrje dhe nxitje për të shkuar në Siri. Jo vetëm në xhami që është e patolerueshme një gjë e tillë, por mendoj që nxitje të tilla duhet të denoncohen dhe të merren masa nga strukturat kompetente.


Cili është qëndrimi i Komunitetit Mysliman për të gjithë ata besimtare që nisen në Siri për Xhihad?


Është shumë e gabuar dhe nuk shoh asnjë llogjikë që një Shqiptar të braktisë atdheun dhe familjen e tij, detyrimet që ka ndaj fëmijëvë, prindërve dhe shoqërisë; madje këto janë realisht përgjegjësitë obligative për një besimtar, krahas adhurimit ndaj Zotit.  Shoqëria sot funksionon në bazë të ligjeve, kushtetutave, marrëveshjeve e normave ndërkombëtare dhe janë institucionet përkatëse që bëjnë rregullatorin në momentin e padrejtësive të mundshme. Ajo që predikojmë dhe këshillojmë besimtarët është që të jenë pararojë dhe shembuj të respektimit të ligjit dhe të normave morale të bukura që ka feja jonë për mbarë shoqërinë.


Ndërsa nisma të tilla mendoj se bien ndesh në mënyrë të plotë qoftë me ligjet e shtetit dhe ato ndërkombëtare, po ashtu dhe me normat njerëzore dhe obligimet fetare, të cilat nuk bien ndesh me ligjin. Ne si besimtarë, shqetësohemi e lëndohemi kur preken njerëzit e pafajshëm, kur lëndohen fëmijët, të pastrehët e civilët. Por ajo që mund të bëjmë në këtë rast, është të lutemi që konflikti të mbarojë sa më shpejt. Iniciativat personale për çështje shtetërore zakonisht sjellin kaos dhe probleme të mëtejshme. Feja ka këshillën, lutjen, moralin dhe edukimin.


A ndikojnë në harmoninë ndërfetare fryma të tilla?



Iniciativat e nxitura nga ndjenja e urrejtjes, luftës dhe konfliktit në rradhë të parë dëmtojnë individin, familjen, shoqërinë dhe vetë fenë Islame nëse pretendojnë se e bëjnë në emër të fesë. Sigurisht që çdo sipërmarrje radikale prish edhe harmoninë. Është mjaft e qartë që këto janë fryt i padijes dhe manipulimeve. Feja Islame është simbol i paqes, butësisë, mëshirës, harmonisë dhe respektimit të dinjitetit njerëzor. Interpretimet e tjera që nxisin urrejtje dhe konflikt burojnë nga kapriçot e individëve apo grupeve margjinale.





Shqiptarët po i mashtrojnë për xhihadin në Siri

Kosovës ende i duhet EULEX-i


Kryetar i Gjyqësorit të Kosovës, Enver Peci, ka thënë se prania e EULEX-it për disa çështje më sensitive siç janë rastet për krime lufte, është ndoshta e domosdoshme aktualisht në Kosovë.

Ai ka thënë për RTK-në se ‘ombrella’ e EULEX-it duhet të vazhdojë edhe për një kohë, por me një bashkëpunim me gjyqtarët vendor, bashkërisht me institucionet e drejtësisë vendore.

Ndërsa, sa i përket korrupsionit, Peci thotë se vendorët kanë disa raste më të lehta.


”Ne i kemi statistikat sa i përket lëndëve të korrupsionit, ne i kemi disa raste, nuk janë raste që qojnë peshë, kemi raste të shpërdorimit të detyrës zyrtare, marrja e ryshfetit, dhe ata të dyshuar, ata të akuzuar që përgjigjen për këto raste nuk janë të nivelit që qojnë peshë në publik. Rastet më të rënda i kanë marrë EULEX-i”, ka thënë Peci.


Kurse, për Gjykatat në Veri, Kryetari i Gjyqësorit të Kosovës ka thënë se është arritur marrëveshja që të jetë një Gjykatë Themelore dhe qëllimi është që prokurorët dhe gjyqtarët të integrohen në kornizën ligjore të Republikës së Kosovës, por kanë mbetur disa çështje sa i përket lokacioneve se ku do të punojnë gjyqtarët e atij regjioni.


I pyetur se a ka pasur raste se a janë frikësuar gjyqtarët të merren me ndonjë rast më të ndejshëm, Peci ka thënë se deri më tani nuk kanë hasur në raste të tilla.




Kosovës ende i duhet EULEX-i

Sot mbahet seancat konstituive në komunat në veri


Seancat konstituive të katër komunave në veri të Kosovës janë caktuar për sot, kanë paralajmëruar kryetarët e zgjedhur.

“Të gjitha dokumentet do të jenë neutrale në kuptimin e statusit dhe nën ketë nuk munden” tha kryetari i Zubin Potokut Stevan Vulloviq.

Ai shtoi se në Bruksel të gjithë prefektëve atë qëndrim do të kumtojë njeriu i parë i Zvecanit Vucina Jankoviq.


Me atë në Bruksel kanë udhëtuar edhe anëtarët e ekipit për zbatimin e marrëveshjes Dejan Paviceviq dhe Ljubo Mariq. Seanca konstituive duhet të zhvilloheshin para dy javësh, por janë shtyrë me lutje të Qeverisë së Serbisë dhe Bashkimit evropian. Kundër mbajtjes së seancave konstituive ishin të gjithë përfaqësuesit partive Shqiptarë, meqë në festa dhe dokumente tjera nuk ka pasur simbole të Kosovës.


”Afati i parë ishte para 15 ditëve nga përfundimi i zgjedhjeve kur perfektët kanë caktuar seancat, afati dytë kur këshilltari më i moshuar cakton seancën e KK skadon nesër më 10 Janar”, tha prefekti i porsazgjedhur i Leposaviqit Dragan Jabllanoviq.




Sot mbahet seancat konstituive në komunat në veri

Thursday 9 January 2014

Mbretëresha e Britanisë së Madhe nderon Dr. Noel Malcolmin

dautDaut Dauti


Dr. Noel Robert Malcolm, hulumtues i lartë shkencor në All Souls College në Oxford University, nga mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, ka marrë titullin Kalorës (Knight Bachellor) për shërbimet në hulumtime, gazetari dhe histori të Evropës. Nga sot (31 dhjetor 2013) shkencëtari sipëror britanik dhe botëror, Noel Malcolm, i cili është edhe kryetar “Anglo-Albanian Association” në Londër, është Sir Noel Malcolm.


Shqiptarët më së shumti e njohin Sir Noel Malcolmin si autor të librit “Kosovo- A short History” (Kosova – Një Histori e Shkurtër) e cila vepër ua ndërroi botëkuptimet e vjetra që kishin për Kosovën shkencëtarët dhe vendimmarrësit politik të botës. Shumica e ekspertëve mendojnë se ky libër është një ndër shkaqet kryesore që shtyu intervenimin e Perëndimit në Kosovë. Kjo vepër është bërë edhe doracak për historianët që merren me çështjen e Kosovës.


Sir Malcolm është autor edhe i librit “Bosnia – A Short History” (Bosna – Një Histori e Shkurtër) e cila u botua në vitin 1994, katër vite para librit për Kosovën. Këto dy vepra janë një nga arsyet që Sir Malcolm është shpërblyer me këtë titull të lartë nga mbretëresha britanike.


Ekzistojnë edhe një varg veprash tjera por edhe roli në gazetari që janë bërë arsye për dhënien e këtij titulli të nderuar. Sir Malcolm ka qenë kryeredaktor i revistës më të njohur politike në botë “The Spectator” dhe kolumnist në “The Daily Telegraph”. Pos gazetarisë shkëlqyese që ushtroi, Sir Malcolm, mbahet mend të jetë edhe kryeredaktori më i ri nga mosha që pati kjo revista “The Spectator” deri sot.


Në qarqet shkencore britanike dhe botërore Sir Malcolm njihet më shumë për vepra tjera. Ai, pa asnjë dyshim, është studiuesi më i mirë i Thomas Hobbesit. Në lidhje me te, Sir Malcolm, ka botuar librin “Aspects of Hobbes” që merret si studimi më i mirë që ekziston për këtë filozof britanik. Por, vepra e tij edhe më e respektuar për Hobbesin është “The Correspondence of Thomas Hobbes” vepër voluminoze në të cilën Sir Malcolm ka punuar dekada me radhë.


Vepra tjera, poashtu shumë të rëndësishme, janë: “The Origins of English Nonsense” në të cilën bëhet fjalë për llojin e poezinë angleze e cila quhet e pakuptimtë; “Reason of State, Propaganda, and the Thirty Years’ War” ku shtjellohet kjo vepër e përkthyer nga latinishtja në anglisht që e kishte bërë Thomas Hobbes.


Sir Malcolm është autor edhe i këtyre veprave: “George Enrscu: His Life and Music”, “Sense on Sovereignty”, “De Dominis, 1560-1624: Venetian, Anglican, Ecumenist and Relapsed Heretic”, etj.


Sir Malcolm është autor edhe i një vargu të panumërt të punimeve shkencore të botuara nga revistat dhe institutet më të famshme botërore. Ky njeri i madh, me influencën e tij poashtu të madhe, nuk ka pushuar asnjëherë së ndihmuari çështjen shqiptare dhe shqiptarët në Britani të Madhe dhe kudo në botë.


 



Mbretëresha e Britanisë së Madhe nderon Dr. Noel Malcolmin

Irlanda pro statusit për Shqipërinë



Ministri i Çështjeve Evropiane të Irlandës, Paschal Donohoe, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, shprehu mbështetjen e shtetit të tij për vendin tonë.


 Donohoe gjithashtu vlerësoi ecurinë pozitive të reformave në Shqipëri dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.


Ndërsa ministri Bushati shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.  Bushati e falënderoi edhe ministrin e Jashtëm irlandez,  Gilmore, i cili  nënshkroi letrën e 8 ministrave të Jashtëm, në mbështetje të dhënies së statusit të vendit kandidat Shqipërisë në dhjetor të vitit të kaluar, shkruan shekulli.


Gjithashtu, ministri Bushati theksoi se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë mbetet prioriteti kyç i qeverisë shqiptare. Ai e siguroi ministrin Donohoe për angazhimin maksimal në vijimin e zbatimit të reformave, duke shprehur besimin në marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor.


Gjithashtu, bashkëbiseduesit shprehën vlerësime për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit u ra dakord për gjetjen e rrugëve për dhënien e asistencës teknike të Irlandës, lidhur me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.


Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi rajonin dhe në këtë kuadër u vlerësua politika konstruktive e Shqipërisë.





Irlanda pro statusit për Shqipërinë