Tuesday 24 September 2013

Takim në Ambasadë me përfaqësues të shoqatave Shqiptaro-Britanike

fotMe datën 10 shtator 2013, në Ambasadën Shqiptare në Londër u organizua një takim me përfaqësues të shoqatave shqiptaro – britanike që veprojnë në këtë vend. Kryefjalë e këtij takimi, ishte ftesa për bashkëpunim mes palësh për veprimtari kryesisht me karakter kulturor dhe social, për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, me ndikim si brenda bashkesisë shqiptaro britanike ashtu edhe më gjërë.


Në këtë takim iu referua nismave të rëndësishme që janë ndërmarrë deri tani siç është vendosja e bustit të Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeg, në Londër, apo një projekt tjetër mjaft të rëndësishëm, si hapja e zyrës të aplikimit të pasaportave në Ambasadën në Londër për t’u ardhur në ndihmë me sa më shumë përkushtim shtetasve shqiptarë që jetojnë në Britani.


Më pas u prezantua kalendari i aktiviteteve të ndryshme që priten të zhvillohen në muajt në vazhdim duke filluar me shfaqjen e filmit shqiptar Nëntori i Dytë që do të bëhet me datën 12 shtator 2013, në Rich Mix Cinema në Londër. Filmi shfaqet në kuadrin e veprimtarive të Albanian Cinema Project (ACP) për restaurimin e filmave shqiptarë, në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Filmit dhe Shoqatën Anglo-Shqiptare në Londër. Fondin e mbledhur nga biletat kinemaja do t’ia dhurojë ACP dhe Arkivit të Filmit.


Po ashtu në takim u fol për koncertin e datës 16 dhjetor 2013, i cili do të mbahet në Royal College of Music në Londër. Në këtë koncert shumë prestigjioz do të marrin pjesë emra të njohur artistësh shqiptarë si sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho, violinistja Alda Dizdari, sopranoja e njohur e Operas rumune, Arlinda Morava, pjanistja Mariela Cingo, violinçelistja Klara Bregu, violinisti Eljon Vejsiu, violincelistja Brikelda Syla, producenti Tomorr Kokona, etj. Shfaqja do të ketë një audiencë të gjërë me pjesëmarrje nga trupi diplomatik i akredituar në Londër, lordë dhe deputetë të Parlamentit Britanik, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme Britanike, të ftuar nga pushteti vendor, dhe nga bashkësia shqiptaro-britanike së bashku me miqtë e tyre vendas.


Pjesëmarrësit në këtë takim u shprehën se “ky aktivitet do të jetë ngjarja më e madhe artistike e organizuar ndonjëherë në Britani me të cilën do të krenohemi ne shqiptarët e Britanisë”.


Një pikë e këtij takimi ishte promovimi i talenteve të reja shqiptare që jetojnë në Britani. ‘Tani ka ardhur momenti, që kjo gjeneratë e re të na përfaqësojë me talentet e reja në shumë fusha të jetës këtu, – u tha në takim. Brezi i parë erdhi për një jetë më të mirë. Tani është koha të bëhemi edhe ne pjesë e larmisë së jashtëzakonshme kulturore që e karakterizon këtë vend.


Lidhur me këtë u kërkua ndihma e shoqatave të pranishme në takim, që të identifikojnë talentet e reja shqiptare në Britani, që të promovohen dhe motivohen në fushën e muzikës, artit, librave, shkencave, duke i kthyer kështu në një shembull shqiptar. Me datën 2 nëntor 2013, në ambasadë do të bëhet takimi i talenteve të reja dhe do të recensohen dy libra të shkruar në gjuhën angleze nga dymbëdhjete vjeçari Arlind Malat.


Në fund të takimit, shoqatat shqiptare ofruan ndihmë të pakursyer ndaj ambasadës, për të mbajtur gjallë dhe promovuar jetën kulturore dhe sociale të bashkësisë shqiptare në Britaninë e Madhe. Takimi u mbyll me një mirekuptim të tillë ku bashkësia shqiptare gëzon mbështetje të plotë nga ambasada dhe ndërsjelltasi ambasada gëzon mbështetjen e plotë nga shoqatat. Qëllimi i përbashkët është që shqiptaro-britanikët ta afirmojnë vetveten si një bashkësi e talentuar, e përkushtuar, për të ruajtur traditat tona kombëtare por edhe për t’u integruar në botën e madhe të kulturës dhe novacionit britanik në mënyrë shumë dinjitoze.



Takim në Ambasadë me përfaqësues të shoqatave Shqiptaro-Britanike

No comments:

Post a Comment