Sunday 31 March 2013

Detaje mbresëlënëse nga zgjedhjet...



image

 


Si njeri përtej politikës në vazhdimësi i kam kritikuar autoritetet politike, i pamotivuar nga ndonjë ndjenjë smire, xhelozie apo përfitimi. Shpesh jam etiketuar si adhurues i njërës apo partisë tjetër. Kjo për shkakun se aty ku vetëdija formësohet sipas kallëpeve partiake, pakkush të beson se e përfaqëson vetveten dhe nuk je në shërbim të askujt tjetër, përveçse bindjeve tua.


 


Nuk më shqetësojnë fitoret dhe nuk më ngazëllejnë humbjet e partive, në planin partiak. Më shqetësojnë do humbje të tjera që paketohen si fitore kolosale, për çka kam shkruar në vazhdimësi.


 


Edhe pas zgjedhjeve vendore nuk do të ndodh mrekullia. Gjatë fushatës mezi kam ndjekur disa tubime partiake, nëpërmjet ekranit. Fraza të njëjta, të paketuara për përdorime dhe përfitime të reja. Ndërkaq rrjedha ka qenë e pritshme, ndonëse dëshiroja që opozita të shënonte suksese më të mëdha. Sepse një balanc forcash politike është në të mirë të shoqërisë. Por kjo ishte zgjedhja e qytetarëve, që duhet të respektohet.


 


Përkundër disa mangësive në këto zgjedhje, për çka u tha në media, qytetarët shqiptarë, në përgjithësi, treguan pjekuri qytetare, që bie në sy veçanërisht në proces votimi, i cili ishte i qetë dhe pa incidente…


 


***


 


Nga këto zgjedhje pritjet do të jenë të ndryshme.


 


Ata që presin mrekulli pas zgjedhjeve, me gjasë, shpejt do të zhgënjehen. Kjo për shkakun se shqiptarët ende bëjnë ad-hoc politikë.


 


Realistët nuk do të mrekullohen, sepse e dinë paraprakisht se çudia nuk ka për të ndodhur, për sa kohë autoritetet politike e kanë fokusuar vëmendjen tonë drejt dimensioneve virtuale.


 


***


 


Po le të provojmë që të shohim edhe anët e mira. Janë disa detaje domethënëse në zgjedhjet vendore, që mund të shërbejnë si leksione për kulturë e veprime të duhura politike…


 


Në këtë cikël zgjedhor vëmendja qe fokusuar në Kërçovë. Më shumë se sa një garë për kryetar komune, aty u zhvillua një garë etnike zgjedhore. Fitorja e kandidatit shqiptar u arrit edhe falë mërgatës, e cila tregoi vetëdije të lartë qytetare dhe kombëtare. Si çdoherë kur ka qenë e nevojshme.


 


Mërgimtarët kishin mijëra arsye të qëndronin indiferentë, sepse shteti, por edhe komunat të udhëhequra nga shqiptarët nuk kanë bërë diçka për ata. Ata erdhën, falën fitoren dhe ikën. Nuk mund të parashikojmë se sa mërgimtarët do të shijojnë frytet e kësaj fitoreje, por akti i tyre e vë kryetarin e Kërçovës para një obligimi të madh. Mërgimtarët vijnë edhe të investojnë. Prandaj Fatmir Dehari dhe kryetarët e komunave të tjera, duhet të krijojnë linja të përhershme komunikimi me mërgatën shqiptare. Nëse vota e mërgatës i solli Deharit fitoren si kryetar komune, investimet do të ishin me dobi për gjithë qytetarët. Është mëkat i madh që të keqpërdoret ky vullnet i sinqertë i saj.


 


***


 


Në këto zgjedhje ishte pjekuri vendimi i BDI-së për ta përkrahur në Strugë  Zijadin Selën nga PDSH-ja, ku do të ketë një garë pothuajse si në Kërçovë, ashtu sikurse ishte pjekuri e PDSH-së dhe RDK-së që nuk nxorrën kandidatë të tyre në Kërçovë.


 


***


 


Politikani që shënoi fitoren më të madhe ishte pikërisht Arben Llabunishta. I respektuar si mjek, që vjen prej një familje të nderuar, ai dëshmoi se nuk e konsideron politikën si betejë për jetë a vdekje. Pasi e uroi oponentin politik, u bë fituesi më i madh, duke dëshmuar se posedon kulturë politike që rrallë e kishim parë deri tani. Kishte mundësinë të gjente justifikime, por e pranoi vullnetin e qytetarëve. Struganët nuk e dënuan Arbenin, që pagoi borxhet e të tjerëve. Ai i ka të gjithë udhët e hapura dhe është mëkat nëse BDI ndjek logjikë përjashtuese ndaj tij.


 


Ndonëse nuk i kam këmbyer as dy fjalë me të, e respektoj për këtë akt emancipues. Për të bërë një akt të këtillë duhet një njeri me vlerat e tij…


 


***


 


Një tjetër politikan që solli cilësi në kulturën politike është deputeti Izet Zeqiri. Ai nuk humb asgjë në planin personal nëse vendos që të braktis Parlamentin, por shqiptarët do të humbnin zërin më të fuqishëm aty. Zeqiri nuk duhet që të zhgënjehet nga disfata. Në çdo karrierë politike ato janë të paevitueshme. Idetë e reja nuk priten me masovitet. Për politikanë si ai disfata duhet të jetë motivuese dhe jo t’i krijojë zhgënjim. Këtu ende votohet për parti politike, prandaj Zeqiri nuk arriti që të merrte më shumë vota, ndonëse është dëshmuar si njëri nga deputetët më të përgatitur në parlament. Ai është i vlefshëm edhe jashtë politikës, por parlamenti pa Izet Zeqirin është shumë më i zbehtë.


 


***


 


Ndërkohë,  gara vazhdon dhe pritet të jetë e fortë në Tetovë e Gostivar, pa e përjashtuar Strugën.Shpresojmë se zgjedhjet do të kalojnë në frymë demokratike, pa u nëpërkëmbur vullneti i lirë qytetar…


 


Pas shpalljes së rezultateve, kur do të kalojë ekstaza, njerëzit sërish do të përballen me problemet e moçme…







Detaje mbresëlënëse nga zgjedhjet...

No comments:

Post a Comment