Sunday 31 March 2013

Petroviq: Asociacioni nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv



Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të krijojë edhe një nivel tjetër pushteti dhe nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv apo legjislativ, thotë zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviq.


“Situata në veri është plotësisht e paqëndrueshme. Dëmet më të mëdha po i përjetojnë qytetarët atje. Në Mitrovicë duhet të krijohet komuna e veriut. Ne kemi hapur në veri një Zyrë Administrative, e cila ka për synim normalizimin e gjendjes dhe decentralizimin e pushtetit. Mbi 1000 njerëz kanë aplikuar për punë në këtë Zyrë. Tani kemi një lloj komunikimi direkt me qytetarët atje dhe kjo na ndihmon që t’i zgjidhim problemet më lehtë. Pjesa më e madhe e dialogut po i kushtohet pikërisht integrimit të kësaj pjese në sistemin e Kosovës dhe këtu nuk ka kurrfarë kontestimesh nga palët. Tani po kërkohet vetëm rruga për zgjidhjen e problemeve”, ka thënë ai.


Sipas tij, Asociacioni i komunave nuk është i kontestueshëm, sepse këtë e parashikon edhe Kushtetuta e Kosovës.


“Tani duhet gjetur zgjidhje vetëm për detyrat dhe përgjegjësitë e tij. Deri tani është e qartë se nuk do të ketë një pushtet të nivelit të dytë, apo të tretë, siç kërkohet. Do të kemi pushtetin qendror dhe lokal. Disa obligime duhet të ketë edhe ky asociacion, por kurrsesi jo edhe të drejtat ekzekutive dhe legjislative. Esenca në fakt është që komunat e Kosovës kanë fituar shumë të drejta me procesin e decentralizimit. Ekzistojnë shumë segmente, të cilat i kanë komunat në Kosovë dhe nuk i kanë komunat në vendet e tjera të rajonit”, ka thënë Petroviq për DW.




Petroviq: Asociacioni nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv

No comments:

Post a Comment