Friday 29 March 2013

Gjeneralmajor Rama në Konferencën ndërkombëtare në Turqi



Zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Rrahman Rama, me ftesë të Komandantit të Forcave Ajrore të Turqisë, gjeneral Mehmet Erten po merë pjesë në Konferencën e Parë Ndërkombëtare për Fuqinë Ajrore dhe Hapësinore, që po mbahet në Stamboll të Turqisë.


Delegacioni i FSK-së është mysafir i veçantë i Komandantit të Forcave Ajrore të Republikës së Turqisë. Kjo është Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Fuqinë Ajrore dhe Hapësinore që po mbahet në Stamboll të Turqisë. Konferenca ka për qëllim diskutimin dhe shtjellimin e çështjeve të luftës mbizotëruese të forcave ajrore në ditët e sotme dhe përshtatjen e kësaj teknologjie në ambientet moderne të luftë-bërjes në të ardhmen.


Gjatë tri ditëve, sa do të zgjasë konferenca, shumë studiues të kësaj lëmie dhe gjeneralë do të prezantojnë dhe adresojnë tema të ndryshme në një audiencë të përfaqësuar nga pjesëmarrës të 54 shteteve të ndryshme të botës. Në ditën e parë të konferencës, gjeneralmajor Rrahman Rama pati takime me Komandantin e Forcave Ajrore të Republikës së Turqisë, gjeneralin Mehmet Erten, ku biseduan për bashkëpunimin në mes të dy institucioneve.


Zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral Rama e ka falënderuar Komandantin e Forcave Ajrore të Turqisë, gjeneralin Erten, për ndihmën dhe kontributin e shtetit dhe të ushtrisë Turke, që po japin në vazhdimësi për zhvillimin, trajnimin dhe modernizimin e FSK-së. Gjeneral Erten ka premtuar që edhe në të ardhmen ta ndihmojnë FSK-në.




Gjeneralmajor Rama në Konferencën ndërkombëtare në Turqi

No comments:

Post a Comment