Friday 29 March 2013

Topi: Berisha, pasardhës i Ramiz Alisë






topi_FRDAkuza të rënda ndaj kryeministrit Sali Berisha nga kreu i FRD, Bamir Topi. Në takimet për prezantimin e programit të partisë së tij, Topi theksoi se kthimi dhe kompensimi i pronarëve janë pjesë e programit të FRD.

Gjatë tryezës së radhës të Frymës së Re Demokratike, ku mori pjesë edhe kryetari i kësaj force politike, Bamir Topi, që e cilësoi kryeministrin Berisha si pasardhës të Ramiz Alisë duke e akuzuar atë për nëpërkëmbje të cështjes së pronave.


Topi solli fjalën, që sipas tij, Ramiz Alia ka thënë në një mbledhje të Byrosë Politike në tetor të vitit 1989, ku sipas kreut të FRD-së presidenti i fundit komunist fliste për strategjinë e mbajtjes së pushtetit dhe pronës duke liberalizuar ekonominë dhe politikën.


“Ju sjell fjalën e Ramiz Alisë në 1989 kur thoshte: Ne do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy tre legjislaturave, do të arrijmë që nga klasat komuniste të krijojmë klasën kapitaliste. Të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’u japim pronën e tyre dhe në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njëri-tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacion nga Gjykata e Shkallës së parë në të dytën etj. dhe për “difekte teknike” do të kthehen përsëri në të parën…”, kujtoi Topi.



Topi u ndal tek nisma e mazhorancës “Shqipëria 1 Euro” e cila sipas tij bie ndesh me njerëzit që kërkojnë të drejtën e pronës.


“Bëhet fjalë për një abuzim që ka ndodhur dhe ndodh akoma, tha Topi. Si ka mundësi që vazhdon sërish historia e parrullës “Shqipëria 1 euro”? Kemi një kontradiktë të madhe, në një anë njerëzit që kërkojnë të drejtën e pronës, që i janë drejtuar Strasburgut, ku ky i fundit u ka dhënë të drejtë duke penalizuar politikat e pushtetit”, shtoi kreu i FRD-së.


Më tej, Topi tha se ka ngritur zërin për cështjen e pronës si qytetar, politikan, president e tani si përfaqësues i një force të re politike. Ai sulmoi kryeministrin Berisha duke thënë se ai urren klasën e pronarëve.


“Ky njeri i mbushur me një urrejtje patologjike, ky njeri i mbushur me një urrejtje që e nxjerr në pah sa më shumë i vjen fundi i pushtetit, duke dashur të mbulojë atë që ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve, ka krijuar një plan tjetër duke udhëzuar ministritë një projekt-ligj, Shqipërinë 1 euro. Por cfarë ndodh sot? Institucionet të cilat drejtohen nga pasardhësi i Ramiz Alisë, brenda kryeministrisë në pushtetin e tij dhe nën hundën e tij, ekziston njësia anti-korrupsion për të parë se c’bëhet në strukturat që ai ka nën kontroll që të ketë rrobën e supervizorit për të intimiduar njerëzit”, tha Topi.




Topi: Berisha, pasardhës i Ramiz Alisë

No comments:

Post a Comment