Saturday 30 March 2013

Kush qeshet i fundit



image

Adriatik KELMENDI


Mbase do të duhej të ishim shumë më të matur me entuziazmin e vetësigurinë për fitoren e shpejtë në raport me Beogradin. Përvoja e negociatave, bisedimeve, dialogëve, muhabeteve, – sido që do të zgjedhim t’i quajmë – ka treguar se në fund diçka është arritur, por duke bërë kompromise nga qëndrimet fillestare, e që kanë lënë shumë çështje me shumë ambiguitet dhe shumë të tjera të pazgjidhura në raport me Serbinë, të cilat kanë sjellë edhe shumë komplikime në vazhdim. Kujdes!


ËSHTË E BUKUR të shihet optimizmi e entuziazmi në Qeverinë e Kosovës lidhur me rezultatet e bisedimeve, të cilat do të duhej të kishin një epilog javën që vjen.


Sipas asaj që deklaron kryeministri Thaçi, dhe nga ajo që po përflitet ditëve të fundit nëpër qarqe diplomatike e po qarkullon nëpër media, lë të kuptohet se Brukseli i ka ofruar Beogradit një propozim “final të pandryshueshëm”, brenda Pakos së Ahtisaarit/Kushtetutës së Kosovës.


Tash, në qoftë se do të mbetet kështu, besoj se është më e lehtë, pavarësisht se Pakoja ka kuptim, e rrjedhimisht edhe zbatim, vetëm brenda kontekstit të një Kosovë të pavarur. Hajt, ta zëmë, se edhe kjo do të ndodhë në një të ardhme jo të largët, dhe se është ky vetëm një hap i Beogradit në shkalloren që në fund çon në cak – njohjen e pavarësisë sovrane të Kosovës.


 


Mirëpo, droja është se mos po na thuhet të gëzohemi shumë herët. Jo për diçka tjetër, por nga përvoja e deritashme e bisedimeve, e kemi parë se megjithatë me çdo konkluzion/marrëveshje të arritur në dialogun teknik-(politik) është arritur nga një kompromis, që e ka komprometuar bukur shumë Kushtetutën e Republikës.


 


TË KUJTOJMË se regjistrat civilë dhe librat kadastralë janë arritur me një marrëveshje kompromisi: Beogradi i mban origjinalet dhe Prishtina i merr kopjet.


 


Konkluzioni për atë që u quajt qarkullim i lirë ka parë një kompromis edhe më të madh. E para, u arrit pajtueshmëria për mosvlefshmërinë e pasaportës kosovare, teksa pasaporta e Serbisë pranohet në Kosovë. E dyta, u arrit pajtueshmëria për rikthimin e targave “KS” dhe mospranimi i atyre “RKS”, që sërish i bie se Prishtina pranoi që të kthehet te koha e parashpalljes së pavarësisë, dhe, natyrisht, pa reciprocitet. E treta, u caktuan tarifa super të larta sigurimesh, më të larta se me shtetet e tjera, të papërballueshme për shumë qytetarë.


 


Konkluzioni për diplomat: Ndonëse mund të shihet si pak më e drejtë sesa konkluzionet e mësipërme, pasi që në një masë parasheh reciprocitet të plotë, sidoqoftë, ajo më tepër u ka shkuar për shtati serbëve, pasi që ua mundëson mijëra të diplomuarve të Universitetit paralel të zhvendosur në Mitrovicë që nesër të punësohen nëpër institucionet kosovare, kurse pak shqiptarëve të Luginës së Preshevës ndoshta të gjejnë punë në Serbi. Mirëpo, edhe kjo është sui generis, pasi që parasheh që diplomat të certifikohen nga një palë e tretë ndërkombëtare.


 


Si dhe konkluzioni për Menaxhimin e Integruar të Kufirit/Vijës Administrative Kosovë-Serbi. E ka pasur të arriturën e vet të pamohueshme, që është njohja se deri ku është Kosova e ku fillon Serbia, si dhe vendosja e kontrolleve të ndërsjella. Mirëpo, ja që as sot e kësaj dite nuk u arrit që zyrtarët policorë dhe doganorë të të dyja palëve të vendosen pranë njëri-tjetrit, në mënyrë që të procedohen dokumentet menjëherë, siç ndodh për shembull në pikat kufitare Shqipëri-Mal i Zi. Po ashtu, zyrtarët serbë nuk i njohin zyrtarët kosovarë, kështu që as nuk pranojnë që të flasin direkt ose të shkëmbejnë dokumentet, por kjo mundësohet vetëm nëpërmjet zyrtarëve të EULEX-it. A parashihet kështu me konceptet e Bashkimit Evropian për Menaxhimin e Integruar të Kufijve? Jo. Atëherë edhe këtu kemi një kompromis.


 


Të mos harrojmë, se për të gjitha këto konkluzione/”marrëveshje” qeveria na ka thënë se janë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por të gjitha e kanë nga një vegëz që i bën të ndryshojnë dhe krijojnë raport të veçantë të Prishtinës vetëm me Beogradin, gjë që është krejt ndryshe nga raportet me të gjitha shtetet e tjera.


 


NË ANËN TJETËR, e dimë se thuaja me çdo negociatë tjetër deri më tash me Serbinë, Kosova ka fituar diçka, por ose me një çmim shumë të madh, ose të mbështjellë me një problem tjetër të pazgjidhur brenda.


 


Me Rambouillet u fitua përkrahja ndërkombëtare dhe bombardimi i Serbisë, por u pagua edhe çmimi me vrasjet, dëbimet e shkatërrimet që ndërmorën forcat serbe.


 


Me Marrëveshjen e Kumanovës u fitua liria, por u la në derë edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.


 


Me bisedimet e Vjenës u fitua mbështetja për pavarësinë, por edhe kompromiset e paprecedentë për shtetet e tjera brenda Pakos së Ahtisaarit.


 


Tash po pritet një epilog në dialogun e kryeministrave Thaçi e Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton, por sërish duke lënë shumë çështje me shumë ambiguitet dhe shumë të tjera të pazgjidhura në raport me Serbinë, që mund të sjellin edhe shumë komplikime të tjera në të ardhmen.


 


KËSHTU QË, MBASE do të duhej të ishim shumë më të përmbajtur me entuziazmin e vetësigurinë.


 


Përvoja e negociatave, bisedimeve, dialogëve, muhabeteve me Serbinë – sido që do të zgjedhim t’i quajmë – ka treguar se në fund diçka është arritur, por duke bërë kompromise nga qëndrimet fillestare.


 


Ku do të na çojë kompromisi i radhës?


 


Nganjëherë shprehja kush qeshet i fundit, qeshet më së ëmbli, e dimë se mund të shndërrohet në: kush qeshet i fundit, mund të jetë pak i vonuar nga mendja!


 


Koha Ditore


 


 







Kush qeshet i fundit

No comments:

Post a Comment