Friday 29 March 2013

Thaçi: Në Prishtinë kam investuar më shumë se LDK-ja



Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare, po diskuton gjendjen ekonomike në vend.

Një debat i tillë vjen, pas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputetja nga radhët e LDK-së, Hikmete Bajrami ka kritikuar ashpër politikat dhe punën dhe programin e qeverisë sa i përket zhvillimit ekonomik.

Ajo ka thënë se edhe pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Institucionet e Kosovës kanë harruar qytetarët dhe bizneset sepse janë të përqendruar në nepotizëm dhe korrupsion.

Sipas LDK-së, Qeveria Thaçi ka devijuar nga rruga e duhur e zhvillimit ekonomik.

Në anën tjetër, Kryeministri Thaçi ka folur para deputetëve për të arriturat e qeverisë në drejtim të rritjes ekonomike.

Sipas Thaçit, tani ,qytetarët kanë standard jetësor dhe mirëqenie më të mirë.

“Qytetarët kanë standard jetësor shumë më të mirë se më herët. Aktiviteti ekonomik është shtuar , zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka ndikuar në zgjerimin e bazës tatimore duke mundësuar rritjen e të hyrave buxhetore në 14 %”.

Thaçi vlerësoi se punëtorët e Kosovës janë trajtuar në mënyre fyese nga qeveritë e mëparshme.

“Duke qentë të zotuar për mirëqenien e qytetarëve ne kemi punuar në politikat për rritjen e pagave, kemi marrë dy herë vendime për rritjen e pagave në sektorin publik, me qëllim ngritjen e produktivitetit në punë.

Institucionet e mëparshme i kanë trajtuar në mënyrë fyese punëtorët e Kosovës. Ne kemi rritur pagat në shëndetësi përmbi 90%, profesorët universitarë mbi 100%, për policët mbi 55%, pagat për arsimtarët 50% , pagat për gjithë shërbyesit civil mbi 45% etj”, ka shtuar Thaçi.

Madje, ai ka paralajmëruar një rritje tjetër pagash në sektorin publik

“Qeveria nuk do të mjaftohet me këtë rritje pagash, por ne jemi duke shqyrtuar mundësi për rritjen tjetër të pagave gjatë këtij mandati për sektorin publik”, ka shtuar Thaçi.

Thaçi ka folur edhe për përkujdesjen institucionale për veteranët e UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve.

“Aplikimi i 75 mijë personave do të verifikohet, ekipet profesionale dhe qeveria e Kosovës do të kryejnë obligimin ndaj të gjithë veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftë, dhe gjithë ata që kanë dhënë kontribut për lirinë e Kosovës do të kenë përkujdesje shtetërore”, ka thënë Thaçi.

Ai ka porositur që ky proces të mos e politizohet, ngase gjithë luftëtarët kanë luftuar për tërë Kosovën dhe jo interesant e ndonjë partie të vetme.

Pos tjerash, Kryeministri Thaçi ka drejtuar akuza në drejtim të Komunës së Prishtinës për pa zhvillim, burokraci e bllokadë. Sipas Thaçit, qeveria e Kosovës ka investuar më shumë në Prishtinë sesa vetë Komuna përgjatë këtyre viteve të udhëheqjes.

Kryeministri i’u parashtroi disa pyetje deputetëve të LDK-së: “A ka mundësi ju të LDK-së të na tregoni për programin ekonomik të LDK-së për komunën e Prishtinës, sepse për Kosovë nuk keni program. Talentin tuaj kreativitetin tuaj aplikoni në Komunën më të madhe, në Prishtinë. Kryeqytetin e ka përfshirë një burokraci, pa zhvillim, bllokadë, ju ftoj që fillimisht ti zotoheni qytetarëve në nivel të Prishtinës. Kam investuar në Prishtinë më shumë se ju për 15 vite”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri i ka kërkuar Thaçit të mos e zhvendosë këtë debat në fushatë zgjedhore.




Thaçi: Në Prishtinë kam investuar më shumë se LDK-ja

No comments:

Post a Comment