Sunday 31 March 2013

Tirana e Vllaznia, fitore për të ringjallur Evropën







Tirana dhe Vllaznia kanë mbyllur ndeshjet e javës së 30-të me fitore që i mbajnë në garë për vendin e tretë që çon në Europa League në sezonin e ardhshëm. Bardheblutë kanë dalë me një fitore të rëndësishme nga fusha e Kastriotit, ndërsa shkodranët kanë mundur në fushën e tyre Tomorin që po bëhet gati për kthimin në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm.


Tirana i ka dhënë fund krizës së saj me suksesin 3-0 në Krujë përballë Kastriotit vendas. Në një ndeshje ku vendasit kanë dominuar në lojë, bardheblutë kanë shfrytëzuar aftësitë individualë në repartin ofensiv dhe lojën në kundërsulm, pasi kanë goditur brenda pak minutash në pjesën e dytë falë kundërzbritjeve të shpejta, duke mbyllur ndeshjen dhe duke u kthyer 4 pikë larg Flamurtarit e Kukësit që ndajnë vendin e tretë në renditjen e Kategorisë Superiore.


Në të njëjtën kuotë pikësh me Tiranën është edhe Vllaznia, që ka mundur 2-1 Tomorin, skuadrën beratase që tashmë duket se është dorëzuar plotësisht dhe po mendon më shumë për sezonin e ardhshëm, se si do të paraqitet në Kategorinë e Parë. Megjithatë, për të zgjidhur ndeshjen, Vllaznisë i është dashur një paraqitje e shkëlqyer e Arsen Hajdarit, autor i dy golave në këtë sfidë, për t’i dhënë suksesin ekipit të drejtuar nga Artan Bushati që mban ende shpresa për ngjitjen mes ekipeve më të mira.


Kategoria Superiore


Java 20 / Rezultatet


Kastrioti-Tirana            0-3


61’ Abilaliaj, 71’ Lika, 78’ Çota


Vllaznia-Tomori            2-1


12’, 45’ Hajdari / 30’ Mitraj


Klasifikimi: Skënderbeu 49 pikë, Teuta 38, Flamurtari 36, Kukësi 36, Tirana 32, Vllaznia 32, Laçi 28, Kastrioti 28, Bylis 26, Besa 24, Luftëtari 18, Shkumbini 16, Tomori 9, Apolonia 9.





Tirana e Vllaznia, fitore për të ringjallur Evropën

No comments:

Post a Comment