Sunday 31 March 2013

Kosovë, gjashtë anëtarë të një familje sëmuren me brucelozë






klinikaGjashtë anëtarë të familjes Bytyçi nga Obria e Skënderajt vazhdojnë të trajtohen në Klinikën Infektive nga sëmundja e brucelozës. Mjekët shpjegojnë se kjo sëmundje mund të bartet nga kafshët e infektuara te njeriu dhe stina më e rrezikshme për përhapjen e saj është pranvera.

Hyrë Bytyçi shpjegon se familja e saj ishte marrë me kultivimin e dhenve dhe deleve. Ajo thotë se fillimisht ngordhën disa dele, më pas edhe të tjerat radhazi. Por, një mëngjes ishte edhe më i rëndë për të kur pa se vajza e vogël po shfaqte disa simptoma të sëmundjes së kafshëve.


“Çdo mëngjes si jena çu ka katër pesë edhe na kanë cofë, 60 i kena pas, erdhën ata të Prishtinës i kanë marr krejt analizat prej krejt dhive që jon kan plus edhe një edh të coftë. Na than pritni rezultatet e u bo një muaj e gjysmë gati, kur jom çu në mëngjes une, krye jave që u shku burri jem, qe qikjo çikë e paralizime komplet e kom kap çiken smujke me lëviz edhe e kom kap e kom thirr burrin tem. Tha çka ka rishto, thash qika u ngri si dhitë se dhitë u ngijshin prej kamave”, tregon Bytyçi.



Pas disa analizave u konstatua se disa nga 14 anëtarët e familjes ishin prekur nga sëmundja e brucelozës. Shemsedin Dreshaj, Drejtor i Klinikës Infektive tregon për këtë sëmundje.


“Bruceloza është një sëmundje e shtazëve në mënyrë parësore e cila kohë pas kohe në mënyrë aksidentale përmes produkteve ushqimore bartet te njeriu ose mund të bartet edhe gjatë asistimit – kur pjellin shtazët. Pra, puna me placentë, shtaza e cila mund të jetë e infektuar mund të rrezikojë asistuesin e lindjes. Prandaj, kjo sëmundje mund të paraqitet në mënyrë profesionale të veterinarët, te bujqit, por në mënyrë aksidentale edhe te konsumuesit e produkteve të qumështit e shumë më rrallë të mishit te njerëzit të cilët e konsumojnë”, shpjegon Dreshaj.


Ndonëse, sëmundja ka disa simptoma specifike, si rritja e mëlçisë,djersitja me erë të rëndë, temperatura e rritur, shumë shpesh pacientët vijnë në gjendje kur veç paraqiten ndërlikime, thotë Dreshaj.


Ai i tha Radio Kosovës, se raste mund të paraqiten gjatë tërë kohës, por kryesisht, ato, paraqiten në stinën e pranverës, kur edhe pjellshmëria e kafshëve është më e lartë.


Ndryshe, në Klinikën Infektive po trajtohet edhe një rast me brucelozë nga Komuna e Kaçanikut. Kurse, Agjencioni i Veterinës dhe Ushqimit, ende nuk ka konstatuar se nga çfarë ngordhën kafshët.




Kosovë, gjashtë anëtarë të një familje sëmuren me brucelozë

No comments:

Post a Comment