Saturday 30 March 2013

Malltezi: Historia e Shqipërisë nuk ka nevojë për rishikime, nuk shoh presion turk!







TIRANE – Tekstet e historisë së Shqipërisë nuk kanë nevojë për rishikime. Nuk shoh presion turk!” Kështu është shprehur dje në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, historiani Luan Malltezi, njëherazi drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. I pyetur për çështjen e peticionit që 127 intelektualë nënshkruan kundër ndërhyrjes turke në të shkruarit e historisë nën osmanët, ai nuk duket fort i bindur. Ndonëse deklaron se e kupton shqetësimin e shprehur, nënvizon se historianët tanë nuk janë nën presion, madje janë më të lirë se kurrë.



Një peticion i nënshkruar nga më shumë se 100 intelektualë kërkon fuqimisht mosrishikimin e historisë nën Perandorinë Osmane. Si e shihni ju këtë peticion? A ka rrezik real apo presion?

Jo, unë nuk besoj se ekziston. Ka kërkesa që janë bërë publike, apo shqe-tësime të autoriteteve turke (disa janë shpallur), që të shihet mundësia që në tekste të mos përdoren ofendime. Sigurisht, këto janë të natyrshme si kërkesa, sidomos në kohët e sotme, sepse bëhet fjalë për trajtime historike e jo fyerje. Unë besoj që historiografia jonë sot është mjaft e çliruar dhe jashtë këtyre presioneve. Ne i përkasim një grupimi historianësh që kemi kaluar periudha të vështira, me kërkesa të Partisë së Punës ose të shtetit në regjimin e kaluar për çështje të caktuara. Këto tekste mbase duhen rishikuar, por gjithsesi nuk kanë të bëjnë me periudhën e sundimit osman, sepse për këtë periudhë nuk ka ndërhyrë as Enver Hoxha. Sot, studimet kanë nevojë të thellohen, ka nevojë të përgatiten specialistë, ka nevojë për kuadro të rinj.

Pra, jeni dakord me peticionin?

Po, jam dakord me qëndrimin e atyre që bënë peticionin dhe me kërkesën që politika të mos ndërhyjë në trajtimin e historisë, dhe unë besoj se jemi të lirë nga ky drejtim. Ne nuk kemi presione të kësaj natyre. Ajo kohë, ka qenë një situatë mjaft e rëndë në historinë tonë kombëtare. Zhvillimi që kish marrë vendi dhe principatat shqiptare që qenë krijuar në atë kohë, pas pushtimit osman u likuiduan dhe vendi ra nën sferën e otomanëve për pesë shekuj me radhë. Mendoj që këta pesë shekuj ndikuan shumë në prapambetjen e madhe që pësoi vendi ynë. Më tej, intelektualët shqiptarë, me mbështetjen e popullit arritën pastaj të fitojnë pavarësinë dhe të hapin rrugën e zhvillimit të lirë të shtetit.

A është trajtuar objektivisht kjo periudhë nga historianët tanë?

Gjykoj që historiografia shqiptare ka studime mjaft të mira, të specialistëve të njohur, siç janë studimet për Bushatllinjtë, ka Ferit Duka për periudhën e sundimit osman, ka për qytetin e Beratit etj. Këto, do të thosha se janë arritje jashtëzakonisht të rëndësishme, që, si njohës i periudhës, janë bazuar në fakte, në dokumente.

Atëherë, si i shihni shqetësimet aktuale?

Shqetësimet që kanë historianët janë të drejta. Nga ana tjetër, unë nuk besoj se ndonjë historian sot është nën peshën e kërkesës së politikës për të ndryshuar trajtimin e historiografisë. Këtu kemi të bëjmë me historinë tonë kombëtare. Kemi detyrimin ta studiojmë atë drejt, sepse jemi të interesuar të njohim historinë tonë kombëtare, ku është krijuar edhe identiteti ynë kombëtar. Besoj se të gjithë historianët janë të orientuar nga këto kërkesa. Jemi në kushtet që jemi të lirë të shkruajmë, ku secili historian, më shumë se kurrë në vendin tonë, mund të shkruajë lirshëm, bazuar në dokumentet, faktet dhe bindjet e veta. Pra, trajton problematika të periudhave të ndryshme pa ndërhyrje. Sigurisht, i mirëkuptoj të gjithë historianët, por nuk besoj se ndonjëri prej tyre është gjendur në një situatë të tillë presioni nga institucionet përkatëse të shtetit shqiptar për të rishikuar historinë, në kuptimin për të bërë edhe ndryshime të tilla që janë në kundërshtim me formimin e tyre.

Tekstet tona aktuale, a kanë fyerje ndaj osmanëve?

Është periudha e sundimit osman që është karakterizuar nga kryengritje. Shqiptarët janë përpjekur të çlirojnë vendin e tyre. Ka ndikime të mëdha që pushtimi osman ka lënë në Shqipëri dhe të gjitha këto janë të vërteta.

Frika e madhe qëndron tek ndikimi që diplomacia turke mund të ketë në vendin tonë, duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira dypalëshe të vendeve tona, e njëjta gjë në Kosovë. A e shihni ju këtë ndikim?

Mendoj se me turqit sot politika ka pika afrimi, ndërsa për periudhën kur ne po flasim, pra për 500 vitet e pushtimit, shqiptarët janë munduar të mbrojnë vendin e tyre. Ka pasur një elitë të rëndësishme të dalë nga shoqëria shqiptare e që ka luajtur rol të rëndësishëm në Perandorinë Osmane. Më tej, Shqipëria u copëtua mbas shpalljes së pavarësisë dhe troje të mëdha të vendit tonë mbetën jashtë kufijve. Kjo erdhi pas pushtimit osman nga pushtimet e vendeve fqinje, që morën territore të cilat edhe sot janë jashtë kufijve politikë të vendit. Në këtë kuptim, do të thosha që edhe periudha e pushtimit osman, edhe historia që zhvillohet sot, afron në fakt popujt që kanë lidhje në histori. Në kohën e Perandorisë Osmane, edhe pse nën suazën e saj, tokat e Shqipërisë ishin ende të sajat, pra s’ishin të ndara.

A ka kërkesë për një komision shqiptaro-turk të ngjashëm me atë në Kosovë?


Pa qenë nevoja për një komision të tillë, ne jemi të prirur të shohim historinë tonë, që të mos ketë fyerje. Tjetër është trajtimi i historisë së një kombi me realizëm, e tjetër është qëndrimi që mban një historian me qëllim që të fyejë. E rëndësishme është të shpjegohet historia dhe të bëhen verifikime. Për një historian serioz, fyerjet janë të papranueshme, sigurisht.





Malltezi: Historia e Shqipërisë nuk ka nevojë për rishikime, nuk shoh presion turk!

No comments:

Post a Comment